Mbrëmë u mbajt premiera e shfaqjes ‘’Dhe jetuan të lumtura…?’’ në Prishtina International Theater Festival.

Në PITF 2017 në teatrin ‘’Faruk Begolli’’ në Kolegjin AAB, u hap festivali i teatrit dhe me këtë rast u dha shfaqja e parë ‘’Dhe jetuan të lumtura…?’’.

Me praninë e shumë figurave të shquara dhe në praninë e mediave, u mbajt një koktej rasti, ku musafirët shijuan kohën e tyre, para se të fillonte shfaqja.

Shfaqja ‘’Dhe jetuan të lumtura…?’’ u përcoll nga shumë të pranishëm, duke përfshirë këtu edhe student, ku të qeshurat nuk kishin fund.

Shfaqjen e hapi drejtori i festivalit Ilir Tafa, i cili dha një fjalim, ku falenderoi të pranishmit dhe ekipin kroat pa fund.

E më pas fjala iu dha ambasadores kroate Marija Kapitanović, e cila ishte shumë e lumtur që vendasit e saj po e bënin hapjen e festivalit me shfaqjen e tyre.

Poashtu, ajo ceki që e bën të lumtur fakti që kishte shumë të rinj të pranishëm.

Sot, në datën 16 tetor, në ora 20:00, mund ta shihni shfaqjen ‘’Dhe jetuan të lumtura…?’’.

Shfaqja ‘’Dhe jetuan të lumtura…?’’ vjen në PIFT me prezentim nga ekipa e Kroacisë.

Me produksion të Ines Bojanic – Scena Gorica, me autore Nina Horvat dhe regji të Frana Marija Vrankovic, shfaqja sjell aktorët e shquar kroat: Jelena Hadzi Manev, Mia Krajcar, Doris Pincic Rogoznica dhe Selma Mehic.

“Dhe jetuan të lumtura…?” është vazhdimësi e punës në projektin e shpërblyer të Teatrit të Qytetit – Skena “Gorica”, e cila ishte platformë për hapat e parë të të rinjve në dërrasat e teatrit dhe nga i cili projekt aktorët kanë arritur të profilizohen dhe të shndërrohen në aktorë të suksesshëm.

Teksti i dramaturges Nina Horvat është shpërblyer me çmimin e “Teatar.hr” për tekstin më të mirë, ndërsa shfaqja është dhënë me sukses gjithandej në Kroaci dhe jashtë saj.

Kjo shfaqje tregon perspektivën mashkullore të jetës së “princit”, ndërsa tregon edhe këndvështrimin e grave ndaj martesës, dashurisë, jetës së përditshme, punëve të shtëpisë, argëtimit, kontrollit të burrave, fëmijëve dhe tema të tjera pikante, përmes energjisë dhe forcës së katër aktoreve të reja.

Letërsia e dramës është përplot role për aktorë meshkuj, ndërsa tekste, në të cilat takojmë katër role kryesore të femrave, relativisht janë të rralla.

Bazuar në versionet origjinale të përrallave për Borëbardhën, Hirushen dhe Sirenën e Vogël, si dhe në përrallat e tjera të Vëllezërve Grim dhe të Charles Perrault, shfaqja krijon një botë përrallore në realitetin e sotëm, ku asgjë nuk është ashtu siç duket në shikim të parë…

Duke dekonstruktuar përrallat diskutohet koncepti i përfundimit të lumtur edhe i institucionit të martesës në shekullin 21, ku divorci tashmë nuk është përjashtim, por pothuajse bëhet rregull. Diskutohen edhe stereotipet, klishetë dhe kundërshtimet në rolin shoqëror të burrit dhe gruas.

Përmes shfaqjes, do të tregohet edhe ndryshimi i pabesueshëm civilo-teknologjik i 100 vjetëve të fundit, i cili fillon me supozimin se, Bukuroshja e fjetur zgjohet pas 100 vjetësh të fjetura.

Si do të duket jeta e saj në kohët moderne, si do të përshtatet ajo shpejt në të dhe si do ta përshkruajë botën në të cilën është rritur? Kjo do të tregohet përgjatë shfaqjes.

U mbajt konferenca për shtyp e hapjes së festivalit.

Sot, në orën 11:00 u mbajt konferenca për shtyp, konferencë kjo e cila hapi festivalin e teatrit.

Në konferencë ishin të pranishëm: Ilir Tafa drejtor i festivalit, Burbuqe Berisha drejtoreshë artistike e festivalit, Zija Rexhepi koordinator i festivalit dhe dy aktoret nga Kroacia, Mia Krajcar dhe Katarina Baban të cilat do të performojnë në natën e sotme.

Në konferencë të pranishme ishin edhe mediat vendore.

Shfaqja e parë ”Dhe jetuan të lumtura…?” do të shfaqet sonte në orën 20:00.

Aktorja Doris Pincic Rogoznica në Prishtina International Theater Festival.

Aktorja Doris Pincic Rogoznica lindi më 4 shtator 1988 në Zadar.

Ajo diplomoi në Akademinë e Arteve në Osijek. Doris shquhet për rolin e saj si Lara Božić-Zlatar në serialin televiziz Larin izbor.

Pasi përfundoi serialin në 2013, ajo u bë moderatore e radios në Narodni Radio.

Më 6 shtator 2013, ajo u martua me muzicientin Boris Rogoznica dhe në vitin 2014 lindi një djalë, të cilin e pagëzoi me emrin Donat.

Rogoznica është një nga aktoret e shfaqjes ‘’Dhe jetuan të lumtura…?’’ që do të shfaqet sonte në PITF në ora 20:00.

Përfaqësues nga Irani me ‘’Flet Medea’’.

Një grup iranian, drejtuar nga regjisori dhe autori Mehdi Sheikhvand, do të performojnë ‘’Speak Medea’’ apo thënë në shqip ‘’Flet Medea’’ në Prishtina International Theater Festival më 19 tetor.

Shfaqja është bazuar në ‘’Medea’’, një tragjedi e lashtë greke e shkruar nga Euripidi.

E bazuar në mitin e Xhejsën e Medea dhe e prodhuar më 431 para erës sonë, kjo shfaqje shtjellon një histori të një gruaje të fuqishme, e cila ndjehet e lënë pas dore dhe e pambështetur.

Në vetminë e saj, ajo merr hak për burrin dhe burrat e shoqërisë ku jeton, gjë që e bën vuajtjen e saj si “Prometeu”.

E rëndësishme, është se kjo shfaqje i kushton respekt të gjitha grave të të gjitha kohërave, të cilat kanë vuajtur nga shtypja dhe keqtrajtimi.

Me produksion nga Kompania e teatrit Jirjirak në Tehran, kjo shfaqje vjen në Prishtinë me aktorët: Clara Corona, Darya Nazari, Fatemeh Abrishami Movahed dhe Vida Gharagozlou.

Shfaqja “Vdes siç vdes një vend” me përfaqësim nga Shqipëria.

Vepra “Vdes siç vdes një vend” e autorit grek Dimitris Dimitriadis, vjen në regji të Rozi Kostanit dhe aktorë kryesorë Alfred Trebickën e Rozi Kostanin, e cila do mbajë dy role njëkohësisht, atë të regjisores dhe aktores, duke ndjekur në këtë mënyrë shembullin e disa prej artistëve më të njohur nga eksperienca e teatrit dhe kinematografisë ndërkombëtare, që kanë mbajtur peshën e regjisë dhe aktrimit të një vepre.

“Vdes siç vdes një vend” është psikanaliza letrare e një vendi që dekompozohet ngadalë, rrëfimi tronditës i një gruaje real-imagjinare, që shikon me tmerr sesi trupi i saj merr përmasat e vendit e saj të kalbëzuar dhe si përthahet çdo burim nga rrjedhin lëngjet e saj jetësore.

Pjesë kryesore e shfaqjes është kori, i cili ngjan dhe me korin grek të antikitetit dhe me korin e burrave dhe grave të jugut të Shqipërisë.

Personazhet janë degëzim dhe filiza të kësaj toke, ata janë “Toka Mëmë” dhe kjo e fundit është personazh.

Loja zbathur e aktorëve, sjell në vëmendje një traditë shqiptare, e cila kërkon që në banesën ku ka ndodhur morti, të hyhet pa këpucë.

I gjithë spektakli vjen në trajtën e një denoncimi publik, i një klithme, ku nuk mjafton vetëm fuqia e një shpirti për të deklaruar solemnisht atë çka ndjen.

Aktorët do të përcjellin situata të jetuara në momente historike të shoqërisë së vendit të tyre, por dhe të vendeve fqinje, duke ndjekur kështu udhëtimin në kohë dhe hapësirë.

Mbi këto baza, shfaqja, edhe pse mbart elemente të spektaklit avangard, është gjithpërfshirëse për publikun.

Muzika luhet për së gjalli, kori këndon për së gjalli, elemente këto, që i japin shfaqjes nota të forta emocioni dhe drithërima.

Skenografia është shumë e thjeshtë dhe simbolike. Luhet me ndriçim/ngjyra.

Frana Marija Vranković, regjisorja e Teatrit të Kroacisë në Prishtina International Theater Festival.

Frana Marija Vranković studioi në Akademinë e Arteve të Dramaturgjisë në Universitetin e Zagrebit. Në vitin 2011 dhe 2012, ajo morri çmimin e Rektorit nga Universiteti i Zagrebit për organizimin e festivalit DeSADU dhe në vitin 2010/2011 për festivalin DuLuM.

Që nga 2008, ajo është anëtare e Shoqatës Kroate së Arteve të Dramaturgjisë. Frana ka drejtuar shfaqje, koncerte, ngjarje dhe opera. Poashtu, në vitin 2012, ajo ka mbajtur punishte të teatrit në Universitetin e Heidelbergut në Gjermani.

Pasi përfundoi studimet Master, ajo filloi doktoraturën në Universitetin e Dubrovnikut. Është e rrjedhshme në gjuhën frënge, angleze, gjermane dhe spanjishte.

Frana vjen në PITF si regjisore e “Dhe jetuan të lumtura…?”, që do të mbahet më 16 tetor.

Luran Ahmeti, aktori i Taken 2, në shfaqjen “Darka e thërrimeve”.

I lindur në Shkup të Maqedonisë më 31 korrik te vitit 1974, Luran Ahmeti është padyshim një nga aktorët më të suksesshëm shqiptarë.

Studimet i vijoi në Fakultetin e Arteve të Dramaturgjisë në Shkup dhe më pas sukseset i vuri në praktikë.

Ahmeti shquhet për rolet e tij në Limonata (2015), Kurtlar Vadisi: Pusu (2007) dhe sidomos për rolin e tij të shumë përfolur në filmin e njohur Taken 2 (2012).

Aktualisht, ai punon në Teatrin Shqiptar të Shkupit, teatër ky që ka prodhuar shfaqjen ‘’Darka e thërrimeve’’, e cila do të shfaqet në datën 20 tetor. Luran Ahmetit në kast i bashkangjitet Armenis Nokshiqi Jovanovska, në regji me Qëndrim Rijanin dhe autor Refet Abazin.

Fabula e kësaj vepre provokative kamertale, në të cilën gërshetohen brutaliteti dhe butësia, është paraqitje metafizike e jetës pas vdekjes – takimi i një burri dhe një gruaje, dashuria e të cilëve kurrë nuk është kurorëzuar me jetë të përbashkët.