News

Sot, në datën 16 tetor, në ora 20:00, mund ta shihni shfaqjen ‘’Dhe jetuan të lumtura…?’’.

Shfaqja ‘’Dhe jetuan të lumtura…?’’ vjen në PIFT me prezentim nga ekipa e Kroacisë.

Me produksion të Ines Bojanic – Scena Gorica, me autore Nina Horvat dhe regji të Frana Marija Vrankovic, shfaqja sjell aktorët e shquar kroat: Jelena Hadzi Manev, Mia Krajcar, Doris Pincic Rogoznica dhe Selma Mehic.

“Dhe jetuan të lumtura…?” është vazhdimësi e punës në projektin e shpërblyer të Teatrit të Qytetit – Skena “Gorica”, e cila ishte platformë për hapat e parë të të rinjve në dërrasat e teatrit dhe nga i cili projekt aktorët kanë arritur të profilizohen dhe të shndërrohen në aktorë të suksesshëm.

Teksti i dramaturges Nina Horvat është shpërblyer me çmimin e “Teatar.hr” për tekstin më të mirë, ndërsa shfaqja është dhënë me sukses gjithandej në Kroaci dhe jashtë saj.

Kjo shfaqje tregon perspektivën mashkullore të jetës së “princit”, ndërsa tregon edhe këndvështrimin e grave ndaj martesës, dashurisë, jetës së përditshme, punëve të shtëpisë, argëtimit, kontrollit të burrave, fëmijëve dhe tema të tjera pikante, përmes energjisë dhe forcës së katër aktoreve të reja.

Letërsia e dramës është përplot role për aktorë meshkuj, ndërsa tekste, në të cilat takojmë katër role kryesore të femrave, relativisht janë të rralla.

Bazuar në versionet origjinale të përrallave për Borëbardhën, Hirushen dhe Sirenën e Vogël, si dhe në përrallat e tjera të Vëllezërve Grim dhe të Charles Perrault, shfaqja krijon një botë përrallore në realitetin e sotëm, ku asgjë nuk është ashtu siç duket në shikim të parë…

Duke dekonstruktuar përrallat diskutohet koncepti i përfundimit të lumtur edhe i institucionit të martesës në shekullin 21, ku divorci tashmë nuk është përjashtim, por pothuajse bëhet rregull. Diskutohen edhe stereotipet, klishetë dhe kundërshtimet në rolin shoqëror të burrit dhe gruas.

Përmes shfaqjes, do të tregohet edhe ndryshimi i pabesueshëm civilo-teknologjik i 100 vjetëve të fundit, i cili fillon me supozimin se, Bukuroshja e fjetur zgjohet pas 100 vjetësh të fjetura.

Si do të duket jeta e saj në kohët moderne, si do të përshtatet ajo shpejt në të dhe si do ta përshkruajë botën në të cilën është rritur? Kjo do të tregohet përgjatë shfaqjes.