Sot u mbajt konferenca për shtyp e shfaqjes së dytë të “Prishtina International Theater Festival – PITF 2018”.

Konferenca për shfaqjen “Nëna dhe Fëmija”, u mbajt sot me praninë e aktorëve të shfaqjes Ema Andrea dhe Matia Llupa, si dhe koordinatorin e festivalit Zija Rexhepi.

Aktorët u shprehën rreth përmbajtjes së shfaqjes që do të luhet sonte, ndërkaq sa i përket festivalit, pohuan se është festival mjaft serioz dhe që janë të lumtur të performojnë sonte në Teatrin ”Faruk Begolli”.

“Nëna dhe Fëmija” vjen në PITF 2018, në programin konkurrues të edicionit të dytë, sonte nga ora 19:00.

Sonte nis edicioni i dytë i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove “Prishtina International Theater Festival – PITF 2018”.

Ne Teatrin AAB ‘’Faruk Begolli’’, sonte nis “Prishtina International Theater Festival – PITF 2018”, festival ky që mbart me vete një program garues të përbërë prej 7 shfaqjeve teatrore që vijnë nga Italia, Bullgaria, Kroacia, Maqedonia, Shqipëria e Kosova.

Festivali do të zgjasë 8 ditë, prej datës 29 nëntor deri më 6 dhjetor dhe pritet të ketë audiencë mjaft të madhe.

Festivali PITF synon të na afrojë me botën, të promovojë vlerat tona dhe mbi të gjitha t’i mundësojë publikut kosovar të njihet me rrjedhat bashkëkohore në lëminë e artit, në këtë kohë kur vazhdojmë të mbetemi të izoluar.

Hapja solemne e PITF 2018 bëhet në orën 18:30, kurse në orën 19:00 do të shfaqet ‘’Gratë’’ nga Maqedonia, një produksion i Teatrit Kombëtar Shqiptar në Shkup.

Ejani dhe ndiqeni Festivalin PITF 2018, në hapësirat e Kolegjit AAB në Prishtinë.

U mbajt konferenca për shtyp e shfaqjes së parë të “Prishtina International Theater Festival – PITF 2018”.

Sot u mbajt konferenca për shtyp e shfaqjes ‘’Gratë’’ me përfaqësim nga Maqedonia, shfaqje kjo e cila hap këtë festival. ‘’Gratë’’ (‘’Women’’), luhet sonte në natën e parë të festivalit dhe është pjesë e programit konkurrues të PITF 2018.

Në konferencën për shtyp morrën pjesë: Drejtoresha artistike e festivalit Burbuqe Berisha, Koordinatori i festivalit Zija Rexhepi dhe dy aktoret e shfaqjes ‘’Gratë’’ Teuta Ajdini Jegeni dhe Drita Kaba Karaga.

Aktoret u shprehën të lumtura që janë pjesë e festivalit, si dhe treguan më shumë rreth shfaqjes.

Por, për më shumë, mos e humbisni shfaqjen ‘’Gratë’’ sonte në orën 19:00

Laura Nezha, aktorja, regjisorja dhe këngëtarja e famshme, performon në PITF 2018 në shfaqjen “Shërbëtoret” (“The maids”).

Shfaqja me perfaqësim nga Shqipëria “Shërbëtoret” (“The maids”), luhet në ‘’Prishtina International Theater Festival’’ në datën 4 dhjetor 2018 dhe sjell me vete aktoren me famë Laura Nezha-n.

Laura u lind më 16 shtator, 1990 në Tiranë të Shqipërisë. Ajo kultivoi karrierën e saj në fushën e aktrimit, regjisë e këndimit. Që nga fëmijëria, morri pjesë në shumë festivale të muzikës, ku fitoi një mori çmimesh dhe nuk u ndal me kaq sepse ajo ende vazhdon të shpërblehet me çmime.

Nezha diplomoi nga Fakulteti i Arteve për regji në vitin 2014. Ajo u vu në rolin e regjisores për shfaqjen True West (Perëndim i vërtetë) në Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, punë kjo që rezultoi me sukses. Performoi në dhjetëra shfaqje teatrore ndër vite, si në Les Bonnes, A Streetcar Named Desire, What the Butler Saw, Hamlet dhe shumë të tjera, duke e bërë teatrin të jetë arritja e saj më e madhe artistike. Në vitin 2017, u bë zëri i personazhit të animuar Moana në gjuhën shqipe.

Ne po e presim praninë e saj në PITF 2018 me padurim, andaj ju mirëpresim edhe juve.

Biletën për ta parë këtë shfaqje, tashmë mund ta bleni me çmim 3 euro, ndërsa për studentë kushton 2 euro. Por, mos harroni se mund ta bleni edhe biletën e tërë festivalit (Festival PASS), që kushton vetëm 10 euro për të parë të gjitha shfaqjet e festivalit, ndërsa për studentë, çmimi i Festival PASS është vetëm 5 euro.

“Shërbëtoret” (“The maids”), pjesë e programit garues në PITF 2018 me përfaqësim nga Shqipëria.

Shfaqja “Shërbëtoret” / “The maids”, e autorit Jean Genet, shtjellon ngjarjet e dy shërbëtoreve Solange dhe Claire, të cilat performojnë rituale sadomasokiste kur zonja e tyre (Madame) nuk është aty.

E përbashkëta e tyre është se që të dyja e urrejnë zonjën.

Fokusi i lojës së tyre është vrasja e zonjës dhe ato i ndërrojnë rolet duke portretizuar dy anët e ndarjes së pushtetit. Ritmi i tyre i qëllimshëm dhe përkushtimi ndaj detajeve siguron se ato gjithmonë dështojnë të konkretizojnë fantazitë e tyre duke “vrarë” në mënyrë ceremoniale Zonjën në denuim të ritualit.

Solange dhe Claire janë si mijëra të rinjë që enden në metropol modern pa perspektivë dhe shpresë, me rrebelime të heshtura të përditshme dhe trazira sociale të kohës sonë.

Ndërsa gjithnjë e më shumë njerëz në mbarë botën rrebelohen kundër moralit dominues të mërzisë, bindjes dhe qëndrueshmërisë, kundër shfrytëzimit dhe shantazhit që bëjnë njerëzit në punë, kundër burgut të përditshëm dhe vendosjes së një jete që nuk e zgjodhëm dhe nuk i përkasim, zgjedhja e punës së Jeane Genet për të shprehur frymën e një kohe që do të shpërthejë, ishte e drejtpërdrejtë.

Kjo shfaqje vjen si bashkëpunim i TEKEKS me Ambasadën Franceze në Tiranë nën projektin “Festivali Francez i Teatrit” për regjionin Elbasan-Korçë. Në role janë: Laura Nezha, Dasara Xhangolli dhe Ilirda Bejleri, ndërsa regjia është punë e Kiço Londos.

Merreni biletën tuaj në Kolegjin AAB në Prishtinë, në MIQT Pub dhe Dit’ e Nat’ dhe mos e humbisni asnjë shfaqje të PITF 2018.

Duodrama e autores Frano Marija Vranković “Si nëna si e bija” / “Kakva majka takva kći”, më 3 dhjetor vjen në PITF 2018 me regjinë e Jasmin Novljaković dhe kastin e përbërë nga Mia Krajcar dhe Mirta Zečević.

Aktorja e shfaqjes “Si nëna si e bija” / “Kakva majka takva kći”, Mia Krajcar vjen në PITF për herë të dytë, ku vitin e kaluar morri çmimin Aktorja më e mirë.

Krajcar u lind në Zagreb, më 24 shtator, 1980. Ajo është aktore e teatrit, televizionit dhe filmit. Diplomoi në vitin 2007 në Akademinë e Arteve të Dramës në Zagreb.

Ka sinkronizuar filma të ndryshëm të animuar, morri pjesë në seriale të ndryshme dhe gjithashtu ka performuar në dhjetëra performanca teatrore.

Në Split, u nominua për çmimin e Teatrit Kroat për rolin në shfaqjet “Udovic” dhe “Libertinac”, e poashtu për performancën në “Baal” Theater, në shfaqjen “Don Juan”. Nga 2009, ka qenë anëtare e Shoqatës Kroate të artistëve të pavarur.

Bileta për të parë këtë shfaqje kushton 3 euro, ndërsa për studentë kushton 2 euro.

Kjo shfaqje mund të ndiqet edhe me biletën e tërë festivalit (Festival PASS), që kushton 10 euro për të parë të gjitha shfaqjet e festivalit, ndërsa për studentë çmimi i Festival PASS është 5 euro.

Biletat tashmë kanë filluar të shiten në Kolegjin AAB në Prishtinë, në MIQT Pub dhe Dit’ e Nat’.

Mos harroni se blerja e biletës ju siguron transportin falas dhe after-partyn

Regjisorja maqedonase Ana Bateva e shfaqjes “Chicken” (Pula) me kastin nga Bullgaria, marrin pjesë në PITF 2018.

Ana Bateva studio për regji teatri në Fakultetin e Arteve në Akademinë Kombëtare të Teatrit dhe Filmit ‘’Kr. Sarafov’’- NATFA në Sofia të Bullgarisë.

Ndonëse e re në moshë, regjisorja maqedonase Bateva, u shpërblye për performancat e saj të shumta në shumë festivale ndërkombëtare të teatrit.

Ajo morri një mori çmimesh si: Regjisorja më e mirë, Performanca më e mirë, Inovacioni i teatrit etj. Tani, ajo vjen në ‘’Prishtina International Theater Festival’’ për të bërë pjesë në programin konkurrues, ku garojnë 7 shfaqje gjithsej.

Ne ju presim për ta ndjekur shfaqjen “Chicken” (Pula) në Teatrin AAB ‘’Faruk Begolli’’, në datën 2 dhjetor 2018, nga ora 19:00.