Shfaqja “Shërbëtoret” / “The maids”, e autorit Jean Genet, shtjellon ngjarjet e dy shërbëtoreve Solange dhe Claire, të cilat performojnë rituale sadomasokiste kur zonja e tyre (Madame) nuk është aty.
E përbashkëta e tyre është se që të dyja e urrejnë zonjën.
Fokusi i lojës së tyre është vrasja e zonjës dhe ato i ndërrojnë rolet duke portretizuar dy anët e ndarjes së pushtetit. Ritmi i tyre i qëllimshëm dhe përkushtimi ndaj detajeve siguron se ato gjithmonë dështojnë të konkretizojnë fantazitë e tyre duke “vrarë” në mënyrë ceremoniale Zonjën në denuim të ritualit.
Solange dhe Claire janë si mijëra të rinjë që enden në metropol modern pa perspektivë dhe shpresë, me rrebelime të heshtura të përditshme dhe trazira sociale të kohës sonë.
Ndërsa gjithnjë e më shumë njerëz në mbarë botën rrebelohen kundër moralit dominues të mërzisë, bindjes dhe qëndrueshmërisë, kundër shfrytëzimit dhe shantazhit që bëjnë njerëzit në punë, kundër burgut të përditshëm dhe vendosjes së një jete që nuk e zgjodhëm dhe nuk i përkasim, zgjedhja e punës së Jeane Genet për të shprehur frymën e një kohe që do të shpërthejë, ishte e drejtpërdrejtë.
Kjo shfaqje vjen si bashkëpunim i TEKEKS me Ambasadën Franceze në Tiranë nën projektin “Festivali Francez i Teatrit” për regjionin Elbasan-Korçë. Në role janë: Laura Nezha, Dasara Xhangolli dhe Ilirda Bejleri, ndërsa regjia është punë e Kiço Londos.
Merreni biletën tuaj në Kolegjin AAB në Prishtinë, në MIQT Pub dhe Dit’ e Nat’ dhe mos e humbisni asnjë shfaqje të PITF 2018.