Biletat për Festivalin “Prishtina International Theater Festival” PITF 2017, tashmë mund t’ i siguroni në ambientet e Kolegjit AAB.
Bileta për komplet programin e festivalit – Festival PASS, për studentët kushton vetëm 5 euro
Bileta për një shfaqje brenda festivalit kushton 2 euro.
Gjatë tërë festivalit do të ketë transport falas nga Kolegji AAB në qytet.
Rezervoni në numrin: 045197106
Ju mirëpresim!
Year: 2017
Ilir Tafa në shfaqjen për Nënën Terezë në Prishtina International Theater Festival.
Ilir Tafa është njëri ndër aktorët më të njohur dhe më të popullarizuar në Kosovë si dhe në rajon. Ai ka luajtur në shumë projekte filmike dhe teatrale në Kosovë dhe jashtë saj sidomos në Bosnje e Kroaci.
Ilir Tafa, me fillimin e studimeve nisi të zotërojë profesionin e aktorit, ku për një kohë shumë të shkurtër realizoi vepra brilante në teatër e kinematografi, si në vend ashtu edhe jashtë vendit.
Deri më tani ka luajtur në disa filma artistik dhe seriale, si dhe në shumë shfaqje teatrore, me role skenike nga më të ndryshmet si: ”Sonte jam vetëm”, ”Alo 038″, “Studio 2”, në filmat artistik “Atje ku nuk lind dielli”, “Shtëpia e tmerrit”, në serialet ”Kamera me yjet”, “Kandidati për president”, “Kaçurrelët”, “Zogjtë e luftës”.
Nga viti 2009 merr pjesë në shumë projekte artistike si në teatër, film dhe TV. Në gjithë hapësirën e ish-Jugosllavisë, Ilir Tafa është bërë i njohur me serialin “Lud, Zbunjen, Normalan”.
Bashkë me ekipën nga Kroacia, Ilir Tafa do të performoj shfaqjen ‘’Svetica u Tami’’ më 17 tetor në Teatrin “Faruk Begolli” në Kolegjin AAB.
Alfred Trebicka në “Vdes siç vdes një vend”.
Alfred Trebicka është aktor, regjisor dhe skenarist shqiptar. Ai lindi në vitin 1966. I përfundoi studimet e larta në Akademinë e Arteve.
Më pas vazhdoi të studioj në Danimarkë. Është fitues i disa çmimeve si çmimet Kult, Aktori më i mirë në festivalin e Preshevës etj.
Ka bashkëpunuar me disa regjisorë të huaj nga Turqia dhe Kanadaja. Eshtë i martuar me aktoren Violeta Trebicka.
Aktualisht është pedagog i mjeshtrisë së Aktorit në Universitetin e Arteve.
Trebicka, si një nga aktorët më të kërkuar shqiptarë, vjen në Festivalin e Teatrit me shfaqjen ‘’Vdes siç vdes një vend’’.
Shprehet Venko Andonovski, autori i shfaqjes ”Svetica u Tami”.
”Tekstin dramatik për Nënë Terezën, e shkrova pasi në Shkup u ndërtua përkujtimorja e saj.
E kam ditur para kësaj, që është vetëm e lindur në Shkup dhe që kaloi shumicën e jetës së saj në Kalkuta të Indisë, duke ndihmuar të varfërit dhe të sëmurët.
Kam kaluar çdo ditë pranë vendit ku ishte shtëpia e saj dhe çdo ditë, saktë në atë vend të shënuar, pashë një njeri, lypës, i cili mbante në dorë një libër për jetën e saj.
Një ditë, pasi kaloja rrugën e zakonshme për tek fakulteti im, lypësi nuk ishte më.
Në vendin ku ishte shtëpia e Gonxhe Bojaxhiut, ishte vetëm libri për Nënë Terezën. U afrova, u përkula dhe mora librin, sepse ishte e qartë se nuk kishte nevojë për askënd më. E lexova, pastaj lexova edhe disa libra të tjerë dhe më në fund fillova të shkruaj.
Shumë mirë e di kur shkruaj unë, e kur më dikton dikush tjetër. Këtë e di për arsye se kur më dikton dikush tjetër e përfundoj pjesën me një frymëmarrje.
Kështu ishte rasti me këtë dramë. Personalisht nuk i dua mistifikimet rreth krijimit të veprave të artit, por e dua të vërtetën, e kësaj here më duhet t’a komunikoj. Pjesa e teatrit rreth Nënë Terezës ka dalë vetëm për tre ditë, me disa ndalesa në shkrim.
Nuk e di se çfarë mendojnë kritikët për dramën dhe për vlerat e saj artistike, sepse shfaqja e kishte vetëm një performancë në Shkup, me grupin ad-hoc të teatrit, për të shënuar përvjetorin e lindjes së Nënë Terezës. Askush nuk ka shkruar asgjë, kjo gjë është mirë, nëse e kemi parasysh atë që Nënë Tereza mendonte për veten.
E quante veten para Zotit “asgjë, e Juaj e vogël” dhe “lapsi në dorën Tënde”. E shiti një makinë të çmuar që ishte e dhuruar nga Presidenti i fuqive botërore, për të hapur një spital për të varfërit. Natyrisht, kur e gjithë kjo dihet, është e kotë të presësh që dikush të godasë me kritika me rastin e per- formancës teatrore kushtuar asaj.
Do të ishte e gabueshme, sepse as autori, as regjisori, e as aktorët nuk mund të vihen përpara shenjtores, të cilës i është kushtuar kjo vepër.
Prandaj, besoj, që kjo vepër është vetëm një kunj i vogël në arkën e Krishtit, vetëm një rreze e vogël drite për jetën. që meriton mijëra, mijëra faqe, kurse unë u desh të kënaqem vetëm me një seri të imazheve nga jeta e saj shumë e pasur, në të cilën parimin kryesor e ka patur “nuk është i pasur ai që ka shumë, por ai që nuk i duhet asgjë”.
Dhe “Jeta është shumë e shkurtër për të mbjellë luginën me të keqen, por shumë e gjatë për të mbjellë kokërr të mirësisë”.
Ajo kokërr është e Nënë Terezës. Unë u përpoqa t’a transferoj në skenën e teatrit. Mendoj se kjo është një tokë e mirë për frytet e qëllimeve të mira dhe njerëzve të mirë.
Nëse e kam arritur atëhere në rregull, nëse nuk e kam arritur, le të më falet!”
Aktorët kosovarë sjellin shfaqjen ‘’Armiku i popullit’’ të autorit Henrik Ibsen.
Festivali i Teatrit në Kolegjin AAB në Prishtinë, po sjell shfaqjen ‘’Armiku i popullit’’, e cila është drama e njohur e autorit Henrik Ibsen apo ‘’Babai i realizmit’’ i cili shquhet si zbuluesi i modernizmit.
Kjo dramë e njohur e Ibsenit, flet për moralin/imoralitetin, hipokrizinë dhe ndrydhjen e individit nga qarqet e fuqishme vendimmarrëse.
Ky verzion i “Armikut të popullit” i përpunuar nga një tjetër dramaturg gjenial, Arthur Miller, është një ndër dramat më të fuqishme që flet për keqpërdorimin e asaj që quhet “interesi publik”.
Nën regjinë e Fatos Berishës dhe aktorët Shpëtim Selmani, Xhevdet Doda dhe Afrim Kasapolli, kjo shfaqje do të luhet më 21 Tetor.
Amernis Noksshici – Jovanovska (Armenis Nokshiqi) aktorja e njohur në shaqjen “Darka e thërrimeve”.
Aktorja nga Maqedonia, Amernis Nokshiqi ka lindur në Prishtinë, Kosovë më 3 tetor 1977.
Ajo ka përfunduar shkollën e baletit “Ilija Nikolovski – Louis” në Shkup.
Studimet i përfundoi në Fakultetin e Arteve të Dramaturgjisë. Ajo është një nga profilet më eminente në Maqedoni, e cila për 15 vite, ka arritur të marrë mbi 50 role në teatër si dhe në ekrane televizive.
Nokshiqi ka marrë pjesë në festivale të teatrit në shumë vende si: Beograd, Sarajevë, Zagreb, Ljubljanë, Kairo, Krakovë, Moskë, Paris, Stamboll dhe tani vjen në Prishtinë.
Fituese e shumë çmimeve ndërkombëtare, ajo poashtu ka marrë çmimin ‘’Best Female’’ në filmin “I Wanted to See the Sun”.
“Darka e thërrimeve”, që nga kritika u cilësua si “akt për nder të dashurisë”, vjen tani në Prishtina International Theater Festival.