Shfaqja “Vdes siç vdes një vend” me përfaqësim nga Shqipëria.
Vepra “Vdes siç vdes një vend” e autorit grek Dimitris Dimitriadis, vjen në regji të Rozi Kostanit dhe aktorë kryesorë Alfred Trebickën e Rozi Kostanin, e cila do mbajë dy role njëkohësisht, atë të regjisores dhe aktores, duke ndjekur në këtë mënyrë shembullin e disa prej artistëve më të njohur nga eksperienca e teatrit dhe kinematografisë ndërkombëtare, që kanë mbajtur peshën e regjisë dhe aktrimit të një vepre.
“Vdes siç vdes një vend” është psikanaliza letrare e një vendi që dekompozohet ngadalë, rrëfimi tronditës i një gruaje real-imagjinare, që shikon me tmerr sesi trupi i saj merr përmasat e vendit e saj të kalbëzuar dhe si përthahet çdo burim nga rrjedhin lëngjet e saj jetësore.
Pjesë kryesore e shfaqjes është kori, i cili ngjan dhe me korin grek të antikitetit dhe me korin e burrave dhe grave të jugut të Shqipërisë.
Personazhet janë degëzim dhe filiza të kësaj toke, ata janë “Toka Mëmë” dhe kjo e fundit është personazh.
Loja zbathur e aktorëve, sjell në vëmendje një traditë shqiptare, e cila kërkon që në banesën ku ka ndodhur morti, të hyhet pa këpucë.
I gjithë spektakli vjen në trajtën e një denoncimi publik, i një klithme, ku nuk mjafton vetëm fuqia e një shpirti për të deklaruar solemnisht atë çka ndjen.
Aktorët do të përcjellin situata të jetuara në momente historike të shoqërisë së vendit të tyre, por dhe të vendeve fqinje, duke ndjekur kështu udhëtimin në kohë dhe hapësirë.
Mbi këto baza, shfaqja, edhe pse mbart elemente të spektaklit avangard, është gjithpërfshirëse për publikun.
Muzika luhet për së gjalli, kori këndon për së gjalli, elemente këto, që i japin shfaqjes nota të forta emocioni dhe drithërima.
Skenografia është shumë e thjeshtë dhe simbolike. Luhet me ndriçim/ngjyra.